Kati i sipërm shërbente si pjesa e banimit për pronarin e shtëpisë dhe familjen e tij. Ky seksion
me 5-6 dhoma i ofron vizitorëve një pamje të mënyrës se si familjet e këtij rangu e organizonin
jetesën e tyre gjatë periudhës së vonë të sundimit Osman në vend. Dinamikat sociale të asaj
periudhe jane qartësisht të dukshme nw elementët përbërës të katit dhe të secilës dhomë si
dhoma e burrave, dhoma e ciftit, ajo e familjes, e grave dhe fëmijëve, si dhe banjot. Kati i
sipërm dallohet nga tavanet e tij të mrekullueshëm të zbukuruar me mbulesa druri dhe rozeta të
madhësive, formave, dhe stilimeve të ndryshme. Piktura murale me skena pastorale, oxhaqe,
dritare me motive tradicionale dhe punime tapicerie gjenden në dhoma respektive. Midis
objekteve të shumta, vizitorët mund të dallojnë shumë objekte kuzhine, kontenierë prej druri,
kostume të nuses dhe dhëndrit bashkë me zbukurime dhe aksesorë shtesë, sënduke paje,
rozeta të bëra me dorë, një mangall bakri, si dhe sofra druri për ngrënie.